E trishtë/ Iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ndërron jetë gazetari i njohur (Emri)


Është ndarë nga jeta ditën e djeshme në moshën 55-vjeçare gazetari i kronikës së zezë Zamir Dule. Ai pritet të përcillet sot në banesën e fundit. Gazetari Dule ka ndërruar jetë në një spital privat në Tiranë. Dule do të prehet në vendlindje, në fshatin Miras në Korçë, ndërsa lajmi i hidhur është ndarë nga familjarët e të ndjerit.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bëri thirrje për ndihmë për gazetarin Zamir Dule. Ky i fundit ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi vuante nga problemet e zemrës.

Kujtojmë se Dule ishte gazetar gjatë vitit 1997, kur u masakrua nga pushteti i kohës dhe prej asaj kohe nuk paraqitej në gjendje të mirë shëndetësore. Që atëherë, gazetari i njohur i kronikës së zezë u shndërua në invalid të shëndetit mendor dhe ka jetuar në fshatin e tij në kushte të mjera ekonomike.

Jeta e gazetarit Zamir Dule është një dramë më vete dhe do të duhej një roman voluminoz për ta përshkruar. Ai në shkollë të mesme shfaqi talentin petil, të cilin më pas e “konvertoi’ në gazetari.

Pas shkrimeve të para në gazetën “Zëri i Rinisë’ me prirje të veçanta në zhanret e kronikës, filloi korrespondent i gazetës ‘Koha Jonë’ për Qarkun e Korçës.

Në vitin 1994, duke i vlerësuar aftësitë dhe përkushtimin, botuesi Nikollë Lesi e afroi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën.

Në kulmin e tij, deri afërsisht në vitin 1996, atëherë kur shkroi edhe librin ‘Përbindëshi i Tropojës’” Zamir Dule u bë simbol i gazetarit të kronikës së zezë. Aq sa Karlo Bolino, asokohe botues i ‘Gazeta Shqiptare’ të cilit Zamiri i ishte vetëofruar për punësim më herët, sa herë që ky i fundit publikonte lajmet e tij sensacionale, e bënte Karlon të lëshonte me keqardhje shprehjen’ Ah Z Dule! Z. Dule!

Aq sakrifikonte për profesionin e tij, sa në një moment të karrierës, me synim që të zotëronte lajmet më të bujshme dhe në kohë të shpejtë nga Tirana dhe i gjithë vendi, bëri një ‘pakt me djallin’.

Zamiri u tërhoq shpejt nga ky hap i gabuar, pasi sipas rrëfimit të tij, SHIK-ut po i servirte ca lajme të dorës së dytë e pa interes, dhe për më tepër, vetë gazetari sipas rrëfimit të tij, u bë pishman për këtë komunikim..

Si reagim pati vetëvendimin:’Më mirë një fund i tmerrshëm apo një tmerr pa fund?’. Që nënkuptonte haraçin që do t’i duhej të paguante…

Këtu filloi kalvari i vuajtjeve të Zamir Dules, i cili nën presionin e përndjekjeve nisi të shfaqte probleme psikologjike. Për të cilat kishte ndikuar nga ana tjetër edhe vrasja e një prej vëllezërve të tij. Kulmin këto tortuara, e arritën natën e kobshme të djegies së redaksisë të gazetës “Koha Jonë’ në fillim marsin e vitit 1997.

Asokohe, disa prej gazetarëve, një pjesë e stafit dhe truprojat e botuesit Nikollë Lesi strehoheshin për fjetje në katin e nëndheshëm të redaksisë. Natën kur u sulmua godina e redaksisë, Zamir Dule ishte i vetmi që ndodhej në redaksi pas mesmate së bashku me një punonjës tjetër të gazetës pasi ishte fundjavë dhe të gjithë që strehoheshin në dhomat e poshtëme ishin larguar me leje.

Zamir Dule u shoqërua në polici ku u torturua, tortura këto që u vunë kapak përndjekjeve të tmerrshme ndaj tij. Ai nuk e mori më veten profesionalisht, por edhe nga shëndeti mendor dhe hija e përndjekjes që nuk i ndahej.

Qeveria e kryeministrit të kohës Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.

Kohë pas kohe, Zamir Dule është bërë objekt diskutimesh, madje edhe në rangjet politike, si gazetari simbol i një regjimi hakmarrës ndaj gazetarëve. Gjithashtu, është tentuar të kontaktohet nga kolegë të tij për ta intervistuar, por Zamiri i tërhequr në vetminë e tij dhe botës së librave i ka refuzuar. Pas vdekjes njëri pas tjetrit të prindërve, për Zamirin që nuk vendosi dot martesë, kujdeset vëllai i tij.


Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *